Në Ohër dhe Strugë është e domosdoshme një zgjidhje për qentë endacakë

0
65

Qytetet turistike të Ohrit dhe Strugës tani për tani nuk kanë zgjidhje të përshtatshme për problemin e qenve endacakë. Të dy qytetet në bregdetin e Ohrit janë destinacionet më të mëdha turistike verore në vend, të cilat, përveç nga Maqedonia, tërheqin edhe turistë të huaj, veçanërisht nga Serbia, Holanda, Turqia. Por, që të dy qytetet nuk kanë stacionarë për strehimin e qenve të rrugës. Nuk ka as strehimore rajonale.

Edhe pse e kanë për detyrë të sigurojnë trajtim adekuat të kafshëve, tani për tani deri te Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë asnjëra nga komunat nuk ka parashtruar kërkesë për miratimin e një strehimoreje për qentë endacak.

Hotelierët thonë se qentë endacakë janë një problem që duhet zgjidhur për shkak të sigurisë së mysafirëve, ndërsa ofrojnë ndihmë nëse të dy qytetet fillojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje.

– Ne synojmë një kategori më të lartë të mysafirëve, e cila do të dëshironte të shohë zgjidhje për të gjitha problemet, ashtu edhe për këtë. Ky problem shumë i hidhur domosdo duhet të zgjidhet në një vit kaq të vështirë. Të hapen stacionarë për qentë endacakë, ndërsa ne si Shoqatë e Hotelierëve do të ndihmonim duke ngrirë ushqimin që nuk konsumohet nga mysafirët, normalisht mbrojtje për qentë, thonë nga HOTAM.

Edhe Agjencia për promovimin e turizmit është njëjtë e vetëdijshme për problemin akut me të cilin përballen Ohri dhe Struga. Drejtori i agjencisë, Ljupço Janevski thotë se edhe shtetasit e huaj që kalojnë verën në këto dy qytete shpesh ndodh të birësojnë qen endacakë.

– Është e nevojshme të kemi stacionarë qensh, jo vetëm në Strugë, jo vetëm në Ohër, por në një numër më të madh qytetesh në vendin tonë. Të trajtohen në mënyrën më njerëzore dhe gjithashtu të paraqesin krenari, jo imazh negativ të vetë destinacionit, sepse ne si popull me mirësjelljen tonë dhe si punëtorë turistikë jemi shumë të njohur në të gjithë botën dhe shërbimi ynë është i vlerësuar shumë lartë. Shpresoj që kryetarët e komunave së shpejti do të gjejnë mjetet për përmirësimin e kushteve dhe hapjen e stacionarëve me kapacitet të caktuar në të dy komunat, ose një rajonal ku do të trajtohen qentë endacakë, tha Janevski.

Nga AUV sqarojnë se kur bëhet fjalë për komunat më të vogla, nuk është e domosdoshme që çdo komunë të ketë një strehimore të veçantë.

– Ato kanë mundësinë ligjore të bashkohen dhe të ndërtojnë një strehimore të përbashkët, rajonale për kafshët endacake. Kontrolli i popullatës së qenve endacakë në komuna duhet të kryhet nga strehimoret të cilat janë miratuar nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë, ndërsa duhet të menaxhohen dhe të punojnë punonjës profesionalë dhe të trajnuar, thonë nga AUV.

Prej atje sqarojnë se kanë pasur takime me përfaqësues të të dy komunave për të ndërtuar qendra të tilla.

Deri më tani, janë mbajtur disa takime me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale të Ohrit dhe Strugës, në të cilët është diskutuar për çështjet lidhur me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë dhe ndërtimin e një strehimoreje. Për të tejkaluar dhe zgjidhur problemin e qenve endacakë në Ohër, me ndërmjetësimin e Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë, në Mars të vitit 2019 u organizuan dhe mbajtën ligjërata teorike dhe praktike disaditore për e punonjësit e ndërmarrjes komunale publike “Ohridski Komunalec” dhe punonjësit e Komunës së Ohrit nga eksperti Brian Faulkner, përfaqësues i Shoqërisë mbretërore për parandalimin e mizorisë ndaj kafshëve e Britanisë së Madhe (RSPCA). U shpjeguan hollësisht hapat dhe procedurat standarde operative, teknikat dhe metodat e kapjes së kafshëve endacake, mirëqenia dhe trajtimi i tyre në strehimore. U prezantuan praktikisht bazat për vendosjen e një sistemi të përshtatshëm për kontrollin e qenve endacak të bazuar në mirëqenien e kafshëve, thonë nga AUV.

Do të ndërtohen stacionarë, por nuk dihet kur

Kërçova është komuna më e afërt me qendrat turistike që ka stacionar të regjistruar. Por, ekziston vetëm në letër dhe sipas njoftimeve nga komuna duhet të ndërtohet këtë vit.

– Ndërtimi i stacionarit për qentë endacakë në Kërçovë do të fillojë këtë vit. Paratë sigurohen përmes Qeverisë – 380.000 euro. Objekti duhet të jetë gati deri në fund të vitit, ndërsa kapaciteti për strehim do të jetë deri në 150 qen, thonë nga komuna e Kërçovës.

Edhe Ohri dhe Struga na sigurojnë se kanë bërë shumë për t’u kujdesur për kafshët e pastreha.

Babai i Strugës, Ramiz Merko arsyetohet se qentë në qytet janë sjellë nga vendbanimet e tjera.

– Kishim një projekt bashkë me komunat e Ohrit dhe Debarcës, për të ndërtuar një qendër ku do të strehohen ose dërgohen qentë endacakë dhe sipas metodave të parashikuara me ligj, të veprojmë në atë drejtim, që të mos zhduken në një mënyrë e egër, por të ketë rregulla me metoda veterinare. Shpesh dëgjojmë nga popullata se kanë parë furgonë që i lëshojnë ose bartin nga vende tjera, nuk është puna jonë t’i ndjekim ata, mbase inspektorët, por është edhe puna e njerëzve që nëse e kanë parë me të vërtetë, mjafton të fotografojnë se nga cila veturë janë lëshuar qentë. Sidoqoftë, ne duhet të përdorim metoda ligjore, sigurisht që duhet të krijojmë hapësirë ​​me komuna të tjera për t’i mbledhur, në fakt, stacionarë. Të mbledhim qentë endacakë, që të çlirohemi nga ky imazh i pakëndshëm, mund të mos jemi në gjendje ta mbyllim përgjithmonë problemin, por ta zvogëlojmë numrin në minimum, thotë Merko, duke shtuar se në plan është ndërtimi i një stacionari në Belçishtë në Debrca.

Nga ana tjetër, Ohri lajmëron se do të ndërtohet një stacionar. Por, mbetet vetëm në “do të”, sepse ata nuk e tregojnë afatin se kur duhet të jetë gati.

– Në lokalitetin “Maucker”, ku është planifikuar të vendoset strehimorja, është rrethuar një hapësirë ​​me një sipërfaqe më të madhe ku do të qëndrojnë qentë e kapur. Është siguruar pajisje për kapje dhe janë përgatitur 5 kafaze të mëdha për qentë e kapur. Me këto kafaze rritet kapaciteti ekzistues i stacionarit, ku më parë kishte 10 kafaze më të vogla. Janë siguruar dy automjete për kapje që do të funksionojnë në kuadër të stacionarit të qenve, të vendosur në lokalitetin “Maucker”. Është bërë përzgjedhja e një personi profesional – një veteriner, i cili do të trajtojë më tej qentë në stacionar dhe ka përfunduar procedura për prokurimin e ushqimit të qenve. Është bërë një evaluim strategjik i projektit të stacionarit dhe është duke u zhvilluar procedura ligjore për transferimin e tokës së lokalitetit “Maucker”, e cila është pronë e Komunës së Ohrit, në shfrytëzim të NP “Ohridski Komunalec”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ohrit.

Komunat nuk bëjnë mjaftueshëm për qentë endacakë

Aktivistët për të drejtat e kafshëve thonë se komunat nuk bëjnë shumë për qentë endacakë. Kliment Arnaudov nga Iniciativa për mbrojtjen e kafshëve “Laika Ohër/Strugë” thotë se sjellja e qenve nga një qytet në tjetrin është një sekret publik dhe edhe pse raportohet  komunat nuk ndërmarrin asgjë lidhur me këto ndodhi.

– Në Ohër ka një plan për vite me radhë për të hapur një qendër strehimi, por gjërat akoma stagnojnë. Njëkohësisht, qendra e strehimit nuk do të zgjidhë problemin nëse nuk zbatohen hapat tjerë të përshkruar në Ligjin për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve. Problemi është se në sektorët e komunave që janë përgjegjëse për këtë çështje, janë caktuar njerëz që nuk janë të përshtatshëm për atë funksion, andaj ka mungesë të përkushtimit, profesionalizmit dhe ndershmërisë. Gjithashtu, turistët nuk kanë frikë për sigurinë e tyre, përkundrazi, zakonisht janë ata që i ushqejnë dhe i përkëdhelin gjatë sezonit dhe disa prej tyre strehojnë këlyshë të pastrehë, problemi më i madh është se turistët ndihen të pikëlluar kur i shohin kaq të braktisur, të lënë pas dore dhe në një numër të tillë. Në disa raste, turistët kanë qenë dëshmitarë të helmimeve të kafshëve endacake, pas së cilave kanë anuluar qëndrimin e tyre dhe kanë përhapur publicitet negativ për Ohrin dhe Strugën si destinacione turistike, dhe këtë e them jo vetëm si aktivist por edhe si magjistër për turizëm. Me këtë i humbasim edhe turistët, e shihni se sa e gjerë është kjo çështje dhe implikimet nga trajtimi i pamatur i kafshëve, thotë Arnaudov.

Veterinerët gjithashtu theksojnë se autoritetet lokale nuk ndërmarrin masa ndaj qenve.

– Qentë endacak ndikojnë shumë në sigurinë e njerëzve, por edhe në psikikën. Turistët që vijnë në vendin tonë reagojnë shumë keq dhe me dhimbje kur shohin qen endacakë të lënduar, të sëmurë në rrugë, ndërsa qytetarët e vendit reagojnë me keqardhje se kanë frikë se mos sulmohen. Më e rrezikshmja nga këto kafshë është ajo që nuk duket te këto kafshë të neglizhuara dhe është përhapja e shumë sëmundjeve që mund të sjellin pasoja të mëdha. Nuk ndërmerren masa nga qeveria qendrore dhe lokale për këto qen të pastrehë, të pambrojtur dhe paushqyer. Nuk investohet në zgjidhje të problemit. Eutanazia (vrasja me paramendim me qëllim që të çlirohet nga dhimbja dhe vuajtja) është shumë e dhimbshme dhe është e ndaluar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Mënyra më e mirë dhe më e lehtë për të zgjidhur këtë problem është mbledhja e qenve endacakë, përkujdesja dhe kastrimi, nuk kërkon shumë investime. Qentë e kastruar janë më pasivë dhe nuk janë të rrezikshëm për sulm ose përhapje të sëmundjeve, prandaj kjo është zgjedhja e duhur, thotë veterineri nga Struga, Murat Lumani.

Për qentë në Strugë për momentin kujdeset një stacionar i “egër”, ku qentë endacakë mund të gjejnë strehë. Megjithatë, ata nuk dëshironin të flisnin publikisht për punën e tyre.

Disa nga komunat në Maqedoni, të cilat nuk kanë stacionarë, ndërsa të tilla janë plot, përpiqen që për qentë të përkujdesen te veterinerë privatë të cilët mandej paguhen për vaksinim ose kastrim me mjete nga komunat.

Shkupi është qyteti i vetëm që për momentin ka stacionar modern qensh. Bëhet fjalë për “Laika” ose ish “Vardarishte”. Sidoqoftë, duhet të theksohet se ndërtimi i këtij stacionari u vonua shumë, kështu që në periudhën e pritjes, shumë nga problemet me qentë endacak mbetën. Megjithëse e re, Laika shpesh kritikohet nga aktivistët e të drejtave të kafshëve, të cilët e fajësojnë edhe për parregullsi në punë dhe, së fundmi, edhe për veprime të papërgjegjshme me qentë që tashmë kanë një shtëpi.

Në faqen e Fejsbukut të “Laika”-s shpesh postohen qentë e kapur me qëllim të adoptimit. Disa prej tyre janë të racës së pastër, disa janë të përzier, por sido që të jetë, në vend që të blejnë, qytetarët kanë mundësi të adoptojnë një qen nga stacionari i Shkupit.

Autorë: Daniel Vasilev dhe Ilmie Zhaku

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.