Sheshi “Skënderbeu” mbetet ndërtim i papërfunduar akoma

0
14

Edhe pse ndërtimi i Sheshi “Skënderbeu” në Shkup ka filluar para gati një dekade, ai ende nuk ka përfunduar. Sipas autorëve, projekti pritet të vazhdojë, për të marrë kuptim në fazën e tretë, e nuk përjashtohet mundësia për t`u vazhduar edhe më tej në të ardhmen. Afati për përmbylljen e projektit Sheshi “Skënderbeu” ishte viti 2014. Përkundër versionit të parë, projekti ka pësuar disa ndryshime të cilat  janë evidente edhe në vetë strukturën e sheshit. Fillimisht ishte paraparë ndërtimi i një sheshi në vijë të drejtë me sipërfaqen e qendrës tregtare “Mavrovasja” kurse bulevardi Goce Delçev do të kalonte nën të. Më vonë projekti u ndryshua dhe sheshi u ngrit një kat mbi rrugën ekzistuese në formë të një terrase pranë bustit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. 

Ndërtimet duhej të zhvilloheshin në tre faza.  Faza e parë, ku përfshihen punimet në territorin që i takon Komunës së Çairit ka përfunduar në vitin 2013. Në fazën e dytë, ku përfshihet ndërtimi kryesisht i mbikalimit në Bulevardin “Goce Dellçev”, filloi gjatë vitit 2016, ndërsa sheshi u inagurua përfundimisht në gusht të vitit 2017. Faza e tretë nuk ka filluar të realizohet ende.

Këto ndryshime si dhe pengesa të tjera juridike kanë bërë që punimet të stërzgjaten. Njëri prej projektuesve ideorë thotë se burokracia e politizuar dhe kufizimi i financave kanë qenë problemet kyçe në këtë projekt. 

“Karakteri i imponuar politik i procesit dhe burokracia e politizuar (kryesisht në baza nacionale) kanë qenë pengesa kryesore gjatë konceptimit të projektit. Për realizimin e të njëjtit besojmë se pengesë kryesore kanë qenë kornizat paradoksale financiare që kanë ndikuar në kohëzgjatjen e ndërtimit si dhe në mosfunksionimin e plotë të tanishëm”, tha Betim Zeqiri, arkitekt në planin e Sheshit “Skënderbeu”.

Ky projekt fillimisht është paraparë të kushtonte mbi 10 milion euro, megjithatë, çmimi final duket se do të jetë disa herë më i lartë. U drejtuam në Komunën e Çairit nëpërmjet kërkesës për qasje në informacione me karakter publik nga ku siguruam marrëveshjet për ndërtimin e projektit.   

Marrëveshja e lidhur me “Interneshënel Investment Grup” për ndërtimin e fazës së parë, sipas dokumentit të siguruar nga Komuna e Çairit, është me vlerë prej 153 015 662 denarësh ose afërsisht 2.5 milionë euro.

Për fazën e dytë, Komuna ka pasur marrëveshje me kompaninë “Bauer BG DOO” me vlerë prej 663 964 093 denarësh ose 10.8 milionë euro.

Për fazën e tretë nga Komuna njoftojnë se nuk ka akoma marrëveshje realizimi por vetëm marrëveshje projektimi. 

Faza e tretë e ndërtimit të Sheshit “Skenderbeu” nuk ka filluar akoma

Punimet për fazën e tretë të projektit ende nuk kanë filluar. Në këtë fazë, kryesisht parashihet ndërtimi i parkingut nëntokësorë, me çka do të zgjerohej shëtitorja prej te busti i “Gjergj Kastriot Skënderbeut” në drejtim të Qendrës Tregtare “Mavrovasja”. Kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në zgjedhjet e kaluara lokale, në planin e tij të qeverisjes lokale të quajtur “Kontrata 2017-2021” kishte premtuar përfundimin e kësaj faze brenda mandatit katër vjeçar, për çka parashihej ndarja e buxhetit prej 786 169 857 denarësh ose rreth 12.8 milionë euro.

“Me këtë program parashikohet ndërtimi i garazhës nëntokësore në kate në kuadër të Sheshit Skenderbej faza 3 me atë që sigurohen 380 vend parkingje me rregullimin e sheshit”, thuhet në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim “Kontrata 2017-2021”.

Nga Komuna e Çairit thonë se projekti i detajuar për këtë fazë është gati, por që punimet nuk kanë filluar. Na premtuan se do të na njoftojnë për arsyet e mos-nisjes së punimeve, por të njëjtat informacione ende nuk janë dorëzuar deri tek ne.

Sipas projektuesve, nëse tejkalohen pengesat e tenderimit dhe me sipërmarrës adekuat, kjo fazë mund të përfundohet në afat kohorë prej rreth një viti e gjysmë.    

“Për ndërtimin e fazës së tretë të Sheshit “Skënderbeu” nevojiten 12 deri 18 muaj. Në masë të madhe varet nga përgatitja teknike e sipërmarrësit që do të ndërtojë dhe me siguri edhe nga mënyra e tenderimit. Nëse kriter kryesorë i këtij tenderi do të ishte oferta më e volitshme, atëherë koha e ndërtimit mundet edhe të dyfishohet”, theksoi Bekir Ademi, një nga projektuesit e “Sheshit Skënderbeu”.

Mirëmbajtja e Sheshit “Skënderbeu”, mision i pasuksesshëm

Sheshi ka pësuar dëmtime të mëdha, ashensorët që lidhin katin përdhese me tarracën si dhe shkallët elektrike nuk funksionojnë. Ashensorët nuk kanë funksionuar kurrë kurse shkallët elektrike kanë funksinuar vetëm pak ditë pas vendosjes në funksion. Hapësirat e ashensorëve janë shndërruar në koshe plehrash. Ulëset dhe hapësirat e gjelbra janë të dëmtuara. Mozaiku si dhe disa pllaka të betonit kanë pësuar plasaritje. 

Arkitekti Besian Mehmedi thotë se projektuesit nuk kanë pasur qasje në mbikëqyrjen e punimeve për të konfirmuar cilësinë e ndërtimit.   

“Materialet e përdorura për ndërtimin e Sheshit “Skenderbeu” në Shkup janë kryesisht ato që janë të parapara me dokumentacionin projektues. Për cilësinë e tyre nuk mundemi të prononcohemi pasi që nuk kemi pasur qasje në dëshmi përkatëse për kualitet”, tha Besian Mehmedi, projektues i Sheshit “Skënderbeu”. 

Projektuesit thonë se gjendja aktuale e sheshit është relativisht e mirë përkundër përkujdesit minimal që i bëhet. Ndërsa shtojnë se do të ishte mirë që në të ardhmen ai të përfshihet në projekte të ndryshme kulturore dhe artistike.

Pyetëm Komunën e Çairit informacione konkrete për koston vjetore të mirëmbajtjes së Sheshit “Skënderbeu”, por përgjigje nuk morëm. 

Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth pamjes së sheshit. Disa prej tyre kërkojnë realizim të shpejtë të idesë fillestare për të. 

“Me gjendjen momentale të këtij projekti nuk do ta kisha emëruar këtë zonë si shesh, pershak të mosintegrimit të mjaftueshëm me zonën publike përreth Çarshisë dhe zonës pertej bulevardit Goce Dellçev, nderlidhje e cila nuk është edhe aq e natyrshme, sidomos në aspektin e ndryshimit të niveleve. Kjo mund të verehet edhe nga menyra sa dhe si qytetarët e përdorin këtë hapësirë”, shprehet V.F., qytetare.

“Është një arritje inxhinjerike dhe estetike. Megjithate, shpresoj që do të gjendet mënyrë administrative për t’u realizuar ideja fillestare e këtije projekti, të lidhet me zonën publike përtej bulevardit Goce Dellçev, gjë e cila do t’i japë kuptim dhe vlerë këtij intervenimi”, shprehet A.Xh.

“Definitivisht nuk i ngjan një sheshi, as që dija që ky quhej shesh.  Ngjan si një vend i braktisur, i mungojnë vendet me gjelbërim, pemë dhe dicka tjetër që të duket më natyral dhe të mundet qytetarët ta shijojnë si shesh. Kështu si duket tani me gjithë këtë zhurmë që krijojnë veturat poshtë, as që më vjen ndërmend ta konsideroj si një shesh” u shpreh I.K.

Meqë nuk ka asnjë sqarim as nga komuna, se kur më saktësisht ky shesh do të konsiderohet si përfunduar, nuk dihet akoma. Gjithashtu, nuk dihet nëse ka gjasa që projekti përsëri të pësojë ndryshime, për të disatën herë që pas idesë fillestare.

Arta Sefadini, Valon Mani

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.