As një e treta e mbeturinave të krijuara nuk është mbledhur në rajonin ku gjenden nëntë komuna, edhe atë Ohri, Struga, Kërçova, Dibra, Debarca, Vevçani, Makedonski Brod, Pllasnica dhe Qendra Zhupa
Rajoni jugperëndimor është fundosur në mbeturina gjatë pandemisë dhe ky rajon më së keqi ka menaxhuar grumbullimin e mbeturinave komunale në tërë vendin. Këtë e tregon analiza jonë e të dhënave të Entit shtetëror të statistikës për mbeturinat komunale të krijuara dhe të grumbulluara për vitin 2020. Më në detaje, në vitin e fundit pandemik në rajonin Jugperëndimor u krijuan 184,283 tonë mbeturina komunale, ndërsa janë mbledhur vetëm 56,370 tonë. Kjo do të thotë se mbi 130,000 tonë mbeturina mbetën të pa mbledhura, nëpër deponitë ilegale, duke ndotur ajrin dhe tokën.
Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës, më së miri ka menaxhuar Rajoni i Shkupit, i cili nga më shumë e 172 mijë tonë ka arritur të mbledhë mbi 170 mijë tonë mbeturina komunale.
Rajonin Jugperëndimor e përbëjnë nëntë komuna, edhe atë Vevçani, Dibra, Debarca, Kërçova, Makedonski Brodi, Ohri, Pllasnica, Struga dhe Qendra Zhupa.
Vlen të theksohet se në rajonin i cili më keqe ka menaxhuar mbeturinat komunale gjenden tri komunat që janë të mbrojtura si trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore. Më konkretisht, rajoni i Ohrit i cili është i mbrojtur si trashëgimi e përzier botërore nën UNESCO përbëhet nga komunat e Ohrit, Strugës dhe Debarcës dhe që të tri komunat janë pjesë e rajonit Jugperëndimor që ka menaxhimin më të keq të mbeturinave komunale.
Në raportin e fundit të UNESCO-s mbi gjendjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit theksohet se është e nevojshme të largohen deponitë ilegale në këtë rajon, por dhe deponitë më të vogla.
“Deponitë ilegale në rajonin Jugperëndimor duhet të mbyllen brenda një periudhe tre vjeçare, si Bukovo dhe Maucker në Ohër, deponitë afër Strugës, por edhe deponitë e vogla dhe të shumta në rajon. Rekomandimet të zbatohen brenda tre vjetësh”, kërkoi UNESCO në raportin e fundit të botuar këtë vit.
UNESCO gjithashtu kërkon që ato lokacione të pastrohen në mënyrë të përshtatshme.
Deponia e Ohrit në Bukovo duhej të mbyllej në fund të vitit të kaluar dhe nuk duhej të hidhen më mbeturina në atë vend, por në raportin e fundit UNESCO jep afat tre vjeçar që ky rekomandim të zbatohet.
Pasi dështoi ideja për ndërtimin e një deponie rajonale në Komunën e Debarcës, këtë vit rajoni planor Jugperëndimor duhet të gjejë një zgjidhje për ndërtimin e një deponie rajonale. Kur bëhet fjalë për deponinë për mbeturinat inerte në hyrje të Ohrit, afër Maucker, më pak se një vit më parë drejtori i NP “Ohridski Komunalec” tha se Maucker është zgjidhja e vetme për qytetarët që të hedhin mbeturinat ndërtimore, ndërsa të njëjtat depozitohen në Maucker sipas parimit të deponisë Bukovo me nivelizim.
Shfaqen deponi të egra
Deponitë më të vogla dhe të shumta ilegale në rajonin e Ohrit po pastrohen nga ndërmarrjet publike komunale, por edhe nga eko-aktivistët.
Raporti i fundit i UNESCO-s ishte më i rrepti deri tani dhe praktikisht vlerëson se rekomandimet po zbatohen ngadalë, por gjithashtu thekson se janë krijuar parregullsi të reja. Në këtë raport, UNESCO vlerëson pa mëdyshje se rajoni i Ohrit ka përmbushur të gjitha kushtet për të qenë në listën e trashëgimive botërore të rrezikuara ose trashëgimive në rrezik.
Ndërsa ishte aktive në terren, iniciativa qytetare “Struganët për Strugën” shpesh alarmonte për deponinë e egër në afërsi të qytetit, por edhe për mini-deponitë më të vogla që po krijohen. Strugani Ardian Demiri, i cili ishte pjesë e kësaj nisme, tani thotë se deponia tashmë duket si një mal mbeturinash. Ai beson se është urgjentisht e nevojshme që të hiqet dhe vendi të pastrohet tërësisht.
“Preokupimi ynë kryesor ishte të hiqnim deponinë e egër në hyrje të qytetit, e cila po digjej për katër muaj pa ndërprerë dhe struganët po mbyteshin 24 orë çdo ditë. Gjendja me deponinë nuk është aspak më e mirë tani, dhe për momentin struganët e paguajnë shumë shtrenjtë me para nga qytetarët, ndërsa sot ajo është 16 metra e lartë, 200 metra e gjerë dhe 500 metra e gjatë. Sipas kësaj, situata është më e keqe sot se atëherë, sepse as sot as atëherë nuk është gjetur asnjë zgjidhje për këtë deponi e pastaj, e në ndërkohë janë krijuar edhe deponi të reja më të vogla”, thotë Demiri.
Sipas tij, Ohri dhe Struga pritet të jenë edhe krijuesit më të mëdhenj të mbeturinave komunale në rajonin jugperëndimor sepse janë qytete turistike dhe gjatë verës vizitorët e tejkalojnë numrin e popullsisë rezidente në këto qytete.
“Struga konkretisht nuk mund të mburret sa i përket mbledhjes së këtyre mbeturinave sepse mbledhja nënkupton hedhjen e organizuar të tyre në vendet e caktuara posaçërisht për mbeturinat, ku më pas riciklohen ose shkatërrohen. Struga ka deponinë më të madhe në krahasim me çdo qytet tjetër, ku 200 metra nga qyteti është hedhur një sasi e madhe e mbeturinave të papërpunuara dhe mbeturinave nga të gjithë llojet, të cilat mbeten këtu përgjithmonë, pa ndonjë ide se çfarë do të bëhet me to! Në dukje qyteti është i pastër, por në thelb është plot me mbeturina”, thotë Demiri.
Grumbullimi i mbeturinave komunale është në rënie në të gjithë vendin
Në nivel të të gjithë vendit, sasia totale e mbeturinave komunale të mbledhura në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 ishte 630,086 tonë nga gjithsej 913,033 tonë të krijuara. Krahasuar me vitin 2019, sasia totale e mbeturinave komunale të mbledhura në vitin 2020 shënon ulje për 0.4 për qind.
Sasia më e madhe e mbeturinave komunale të mbledhura u shënua në rajonin e Shkupit, gjegjësisht 170,660 tonë ose 27.1 për qind të sasisë së përgjithshme të mbledhur në Maqedoninë e Veriut. Nga sasia totale e mbeturinave komunale të mbledhura, 522,954 tonë ose 83 për qind janë mbledhur nga amvisëritë, ndërsa pjesa tjetër prej 17 për qind nga personat juridikë dhe fizikë (mbeturina komerciale).
Sipas llojit të mbeturinave, sasia më e madhe e mbeturinave të mbledhura janë mbeturina të përziera komunale, pra 525,745 tonë ose 83,4 për qind, ndërsa sasia më e vogël e mbeturinave të gomës është 1,005 ton ose 0,2 për qind e sasisë totale të mbeturinave komunale të mbledhura.
Sasia vjetore e mbeturinave komunale të krijuara për kokë banori në vitin 2020 është 452 kilogramë, që është 1.0 për qind më pak se e njëjta sasi në vitin 2019. Duke analizuar të dhënat në pesë vitet e fundit, më së shumti mbeturina komunale u krijuan në vitin 2019 ose një total prej 915,943 tonë ose 456 kilogramë për kokë banori.
Sipas Entit shtetëror të statistikës, sasia më e madhe e mbeturinave komunale të mbledhura (99.8%) hidhet në deponi.
Ngritja e vetëdijes publike është faktor i rëndësishëm
Vetëdija e ulët e qytetarëve kontribuon në krijimin e deponive të egra dhe pastërtinë publike. Nga NP “Ohridski Komunalec” rregullisht bëjnë thirrje për ngritjen e vetëdijes te qytetarët, por edhe te turistët që vizitojnë Ohrin gjatë muajve të verës. Disa herë potencojnë se në më shumë lokacione në qytet çdo ditë po krijohen mini-deponi nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Vitin e kaluar, ata paralajmëruan vazhdimisht se në disa vende në Qytetin e Vjetër gjendja e pastërtisë publike është shqetësuese, megjithëse ekipet e tyre mbledhin mbeturina çdo ditë, ngjarjet përsëriten çdo ditë.
“Në fakt, Kaneo, Teatri Antik, Llabino, Shën Sofija dhe Saraishte në orët e vona të natës bëhen vende takimi për popullatën e re, që lë pas grumbuj mbeturinash. Për këtë gjendje kemi pasur shumë reagime nga banorët lokal, që reagojnë për shishet e hedhura të plastikës, mbeturinave nga ushqimi, ambalazhe kartoni, etj. Apelojmë tek institucionet kompetente që të ndërmarrin masa dhe sanksione për të tejkaluar këtë situatë alarmante. Shërbimet tona mbledhin mbeturinat e hedhura çdo ditë, por mëngjesin tjetër ngjarjet përsëriten, apelojnë nga NP “Ohridski Komunalec”.
Nuredini paralajmëroi ligje të reja për menaxhim më të mirë me mbeturinat
Në fillim të këtij muaji, Ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini njoftoi se problemi i mbeturinave komunale në rajonin e Pollogut do të zgjidhej ngadalë dhe se aktivitetet për të rehabilituar Rusinon tashmë kishin filluar.
“Jam i lumtur që aktivitetet shumë të vonuara të punës për rehabilitimin e Rusinos përfundimisht janë në rrjedhë e sipër dhe shpresoj që kryetarët e komunave të fillojnë vërtet të bashkëpunojnë për të zgjidhur çështjen e menaxhimit të mbeturinave në të gjithë rajonin e Pollogut”, deklaroi Nuredini.
Në seancën e fundit për pyetje për deputetët, Nuredini apelonte që edhe Ligji për kundërvajtje të zhbllokohet sa më shpejt që është e mundur, sepse parashikon gjoba më të larta për ata që ndotin mjedisin jetësor. Ai informoi se gjashtë ligje të tjera shtesë për mbeturinat janë dorëzuar në Parlament, me të cilët përcaktohen detyrimet e komunave dhe prodhuesve për selektimin e mbeturinave, riciklimin e tyre dhe mundësi tjera të përpunimit.
“T’i përkrahim të gjitha komunat që kanë probleme me mbeturinat, pa ngjyrosje politike. Kemi shumë komuna dhe parti të ndryshme. Të mos politizojmë. Dhe të mos harrojmë se vetëdija është akoma e jona, e qytetarëve. Fatkeqësisht, deri diku ne kontribuojmë në problem, duke hedhur mbeturinat gjithandej … Me ministrin e drejtësisë propozuam edhe ndryshime të Ligjit për kundërvajtje, por për të njëjtit janë dorëzuar rreth 2,000 amendamente. Nuk ka nevojë për kaq shumë amendamente. Ndryshimet ligjore duhet të miratohen sa më shpejt që është e mundur sepse ato parashikojnë rritje të gjobave për ata që ndotin mjedisin jetësor. Ai që ndot duhet të paguajë”, tha Nuredini në përgjigje të një pyetjeje parlamentare lidhur me problemet me mbeturinat.
Ivana Nasteska
Ky tekst është një produkt nga projekti “Young Journalists’ Network” të zbatuar nga Democracy Lab. Ky projekt mbështetet nga Ambasada e SHBA. Opinionet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë ato të zbatuesve / autorëve dhe nuk pasqyrojnë ato të Qeverisë Amerikane.