Analizat e organizatave qytetare në vend, të cilat janë aktive në fushën e barazisë gjinore, tregojnë se kriza me KOVID-19 e ka shtuar punën pa pagesë të grave në shtëpi. Gjatë karantinës, pikërisht ato e kanë marrë përsipër kujdesin për shtëpinë, fëmijët dhe familjen në përgjithësi – tregojnë hulumtimet.
Pandemia me virusin korona ka intensifikuar pabarazitë gjinore. Grave do t’ju duhen 135,6 vite që të jenë të barabarta me burrat. Këtë e thekson Forumi ekonomik botëror, ndërsa trendi global i thellimit të hendekut gjinor nuk e la anësh as vendin tonë. Në vend, gjithashtu, janë të pashmangshme edhe ndikimet e krizës mbi pabarazinë gjinore dhe sfidat për gratë, veçanërisht në aspektin e rritjes së punës pa pagesë, të cilën ato e morën përsipër në shtëpi dhe familje.
Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave vlerëson se grat, për dallim nga burrat, kalojnë dukshëm më shumë kohë në kryerjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët, dhe po ashtu edhe për personat tjerë në amvisëri.
Ndjekja e mësimit pa prezencë fizike është faktor i cili gjithashtu ka ndikuar në këtë situatë.
-Mbyllja e çerdheve dhe shkollave ka kontribuuar që shumë gra të mbeten në shtëpi dhe të humbin vendet e punës. Masat nuk parashihnin që gratë t’i ruajnë fëmijët, por duhej të kihej parasysh se shoqëria do të reagojë në atë mënyrë dhe të ketë fushata me qëllim që kujdesi për fëmijët të binte në mënyrë të barabartë mbi të dy prindërit – tregon analiza e tyre “Përballja me Kovid-19: Si ndikon shpenzimi i mjeteve publike mbi barazinë gjinore”.
Ata rikujtojnë se një nga masat e para antikovid që miratoi Qeveria ishte zgjatja e lejes prindërore. Shteti ka shpenzuar 2.3 milion euro për zbatimin e saj, ndërsa e kanë shfrytëzuar 2450 persona të siguruar. Prej tyre 99.4 për qind e tyre ishin nëna.
-Fakti se kjo masë është shfrytëzuar nga 99,4% nëna, flet se rolin prindëror për kujdesin e fëmijës nga mosha më e hershme, gjatë kohës së Kovid-19, baballarët e kanë ndërmarrë në raste shumë të rralla (gjegjësisht në 0,5% të rasteve). Dizajni i masës është neutral sa i përket gjinisë dhe nuk mundëson thyerje të stereotipit gjinor, ku nëna është kryesorja në kujdesin për fëmijën. Pasi masa vlen vetëm pas mbarimit të lejes nëntëmujore të garantuar me ligj, kur fëmija është mjaftueshëm i rritur që për të të kujdeset dikush tjetër pos nënës, sikur masa të ishte specifike për gjininë dhe të kishte për qëllim ta thyej stereotipin gjinor, do të stimulonte më shumë baballarë ta shfrytëzojnë vazhdimin e lejes prindërore për shkak të Kovid-19, me çfarë, përpos që financat do të ndaheshin në mënyrë më të barabartë mes burrave dhe grave, do të ndahej edhe mundi i papaguar në shtëpi lidhur me kujdesin për familjen, për çka barrën e mbajnë gratë – thuhet në dokument.
Në të njëjtin dokument shqyrtohet edhe masa për lirim nga puna për prindërit me fëmijë nën moshën dhjetëvjeçare.
-Në çdo të pestin prind, babai është liruar nga puna, ndërsa nënat ndërmorën tre të katërtat e kujdesit të përgjithshëm – tregon analiza.
Në zonat rurale, gratë me barrë ende më të rëndë
Edhe organizata tjera që ka kontaktuar PINA kanë ardhur deri në gjetje të ngjashme si këto. Nga Koalicion rural thonë se situata është më e rëndë te gratë nga zonat rurale, nga të cilat edhe ashtu vetëm 38 për qind janë ekonomikisht aktive.
“Pjesa më e madhe e grave rurale nuk paraqiten si punëkërkuese aktive, ndërsa gati të gjitha punojnë nga 11 orë në ditë. Gruaja rurale punon krah për krah me bashkëshortin, por kjo nuk evidentohet sepse edhe rregullorja nuk jep mundësi që kjo të vlerësohet. Këto gra mbeten pa u vërejtur në sistem, ndërsa këtë e kemi vërejtur edhe në të gjithë pesë paketat e masave. Ky është i faj i sistemit shtetëror, por edhe i vetë grave sepse mbeten të pa vërejtura dhe kështu nuk mund t’ju ndihmohet. Kjo është çështje e dhimbshme që duhet të zgjidhet sa më shpejt”, përfundon drejtoresha ekzekutive e Koalicionit Rural, Liljana Jonoski.
Në deklaratën për PINA, ajo thekson se sipas hulumtimit të tyre, në të cilin kanë marrë pjesë 350 gra, pandemia ka pasur ndikim negativ mbi 84% të të anketuarave.
“Qëndrimi i tyre është se më së shumti janë të goditura nga barra shtese, sepse këtu bie edhe kujdesi për personat më të moshuar, kujdesi për fëmijët. Këtu kishte edhe momente tjera, për shembull një pjesë e grave, nëse në shtëpi kishin gatuar një apo dy vakte, tani gatuajnë tre ose katër vakte gjatë ditës për të ushqyer të gjithë. Në fushë punohet më shumë. Për dallim prej shumicës që vazhduan të punojnë nga shtëpia, puna në bujqësi mbeti e njëjta, pasi atje punët nuk funksionojnë përmes internetit”, shton Jonoski.
Thekson se në zonat urbane lëshoheshin vërtetime se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët, kështu që gratë qëndronin në shtëpi, por në fshatra nuk ka raste të tilla, andaj barra bie mbi kurrizin e gruas , e cila vazhdon të punojë në fusha. Sipas saj, shteti duhet të ketë një paketë masash për mbështetjen ekonomike të këtyre grave, por në planin afatgjatë është e nevojshme të rritet vetëdija e tyre për të kërkuar kompensim për punën aktive në lidhje me bujqësinë ekonomike familjare.
Koalicioni Rural propozon që shteti të vendosë sistem kombëtar të shitjes elektronike të produkteve bujqësore, i cili do të lidhte plotësisht zonat urbane me zonat rurale. Sipas tyre, në vendet më të zhvilluara kanë ndonjë lloj evidence se sa orë gratë kalojnë në fermë dhe kështu marrin kompensim. “Për shembull, nëse një grua fshati prodhon kumbulla, ndërsa nga ato edhe reçel, ajo nuk mund ta realizojë këtë si biznes sepse duhet të dëshmojë se ka mall në pronësi të saj, por vjehrri nuk lejon që malli të jetë në emër të saj. Stereotipat kontribuojnë që gratë e zonave rurale të mos mund të përfshihen në fushën afariste dhe kjo vërehet më së shumti tani”, thekson Jonoski.
Të të njëjtit mendim janë edhe nga Qendra për mundësi të barabarta “Mollëkuqja”.
Pandemia e goditi me grusht lirinë e kufizuar të grave, thonë prej atje lidhur me ndikimin e “normales së re” mbi barazinë gjinore.
-Mes përgjegjësive dhe obligimeve që i imponojnë patriarkati dhe tradita mbi gratë, është padyshim edhe puna e papaguar në shtëpi. Me fjalë tjera, gruaja e ka patjetër të kujdeset për familjen, për shtëpinë. Për një kohë të caktuar çerdhet u mbyllën nga pandemia, të cilat pasi që u hapën, vazhduan të punojnë me kapacitet të zvogëluar. Gratë janë të detyruara të japin dorëheqje nga vendi i punës që të kujdesen për fëmijët, por kjo nuk ngjau me burrat – thotë Ardit Ramadani nga “Mollëkuqja”.
Sipas kësaj OJQ-je, në sistemin në të cilin jetojmë ne, kujdesi për fëmijët dhe familjen është i lidhur me gruan, po edhe kur kjo i kushton asaj vendin e punës.
-Sipas të dhënave nga Enti shtetëror i statistikës, nga fillimi i pandemisë Kovid-19, rreth 11 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës. Sipas tyre, 47% janë të moshës 30-49 vjeç. Sipas nesh, kjo moshë nuk është prekur rastësisht, sepse në këtë moshë ka më së shumti nëna të reja. Këto të dhëna për pasojat janë shumë shqetësuese për ne. Përpos kësaj, në mungesë të vendit të punës, gratë mund të ballafaqohen me probleme lidhur me sigurimin shëndetësor – thekson Ardit Ramadani nga “Mollëkuqja”.
Barazia gjinore të merret parasysh gjatë përpilimit të dokumenteve
Në dokumentet e tyre publike për ndikimin e pandemisë mbi barazinë gjinore, organizatat qytetare i rekomandojnë Qeverisë që të ketë parasysh perspektivën e barazisë gjinore gjatë krijimit të masave antikrizë.
-Të gjithë aspektet që do të dalin nga vlerësimi i shkallës së ndikimit që e kanë masat mbi gratë dhe burrat, të shfrytëzohen me qëllim të përshtatjes së masave, që të arrihet efekt më i mirë dhe të ulet diskriminimi apo përjashtimi i grupeve të caktuara shoqërore të qytetarëve; Të sigurohen statistika në dispozicion publik sipas gjinive për vëllimin dhe shkallën e shfrytëzimit të masave qeveritare për mbrojtje nga, dhe përkrahje në krizën me Kovid-19 dhe të njëjtat të shfrytëzohen për evaluim të masave të sjella – rekomandon Reaktori, hulumtim në vepër.
Nga Reaktori rekomandojnë që institucionet të punojnë për rritje të vetëdijes publike për rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në obligimet shtëpiake. Në rekomandime nënvizohet edhe përhapja e të drejtave dhe shërbimeve të mbrojtjes sociale, me qëllim që punonjëset e ekonomisë joformale, mes të cilave edhe fermeret e paregjistruara, të mund të fitojnë siguri sociale.
Sipas Reaktorit, shteti duhet t’i konsultojë organizatat qytetare gjatë miratimit të masave me karakter socio-ekonomik.
E pyetëm qeverinë lidhur me atë se nëse dhe çfarë vlerësime gjinore apo tregues gjinorë janë përdorur gjatë planifikimit dhe përpilimit të masave qeveritare të paketave antikrizë, por në përgjigjen me shkrim nuk kishte informata konkrete. Nga shërbimi për marrëdhënie me publikun theksojnë se janë sjelle një sërë masash në luftën kundër Kovid-19 dhe pretendojnë se Qeveria ka mundësuar përkrahje për kategoritë e lëndueshme të qytetarëve. Edhe përkundër vërejtjes së në krijimin e masave ka munguar përfshirja e sektorit joqeveritar, sipas Qeverisë procesi është kryer në mënyrë transparente dhe kanë marrë pjesë odat ekonomike, organizatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve, me qëllim që të përfshihet numri maksimal i qytetarëve të prekur nga kriza.
Sa u përket masave që në mënyrë të veçantë përqendrohen tek gratë, prej atje e përmendin aplikacionin “Bëhu e sigurt” për përkrahje të viktimave të dhunës në familje, si dhe përjashtimin e viktimave nga ndalesat dhe sanksionet gjatë orës policore. Gjithashtu, gratë janë caktuar si grupe me prioritet në programe aktive dhe masa për punësim.
Sipas të dhënave për zbatim të Planit operativ për programe aktive dhe masa për punësim dhe shërbime të tregut të punës për vitin 2020, nga përfshirja e përgjithshme 44,7% janë gra. Të gjitha masat i përfshijnë gratë dhe burrat e papunësuar, personat me të ardhura të ulëta ose të rinjtë, me qëllim që t’u ndihmohet më të lëndueshmëve, duke pasur parasysh se gratë janë më të përfaqësuara se burrat në nëngrupet e qytetarëve të papunë dhe me pagë të ulët.
Lidhur me atë se çfarë planifikon Qeveria të ndërmarrë në periudhën në vijim, prej atje lajmërojnë strategji të cilën e përpilon MPPS për momentin, ndërsa janë të përfshira edhe organizata qytetare në proces. Dokumenti i këtillë përqendrohet në zvogëlimin e hendekut gjinor në pjesëmarrjen ekonomike të grave në tregun e punës.
Lidhur me zhvillimin e ndërmarrësisë së grave, gjithashtu lajmërojnë nga Qeveria se në thirrjet e ardhshme publike, Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik gjatë vlerësimit do t’u japë përparësi kompanive me menaxhere gra dhe që vijnë nga rajone të ndryshme.
Vanja Micevska, Zenel Miftari
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.