Ankesat për dhunë në familje janë rritur gjatë kohës së pandemisë

0
16

Rritje e dukshme gjatë kohës së pandemisë është shënuar në ankesat për dhunë në familje të cilat MPB i ka pranuar gjatë vitit 2020, ku ka 563 raste më shumë se vitin paraprak. Numri më i madh i viktimave që janë ankuar janë gra, thonë të dhënat.

Dhuna në familje gjatë kohës së KOVID-19, nga Kombet e bashkuara është përshkrua si “pandemi në hije” dhe në nivel global ka së paku 20 për qind rritje në gjatë pandemisë.

Treguesit e këtillë nuk e anashkalojnë as vendin tonë, ndërsa për këtë flasin të dhënat të cilat i siguruam nga Ministria e punëve të brendshme lidhur me statistikat e veprave penale të regjistruara që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Sipas të dhënave që kemi siguruar nga Ministria e punëve të brendshme, për sa u takon veprave penale të kryera ku ka viktima të dhunës në familje, në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 989 vepra penale ku ka viktima të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2020 kemi gjithsej 992 të tilla.

Është vërejtur te disa prej veprave penale, edhe atë: tentim për vrasje, veprime përmes të cilave viktimat kishin lëndime trupore dhe lëndime të rënda trupore, raste të detyrimit, si dhe raste të privimit nga liria në formë të joligjore.

Ka gjithashtu rritje të kundërvajtjeve ku ka viktima të dhunës në familje, në vitin 2020 gjatë pandemisë ka një rritje prej 3.34 për qind të kundërvajtjeve në krahasim me vitin 2019.

Rritje e dukshme gjatë kohës së pandemisë është shënuar në ankesat të cilat MPB i ka pranuar gjatë vitit 2020, ku ka 563 raste më shumë se vitin paraprak. Numri më i madh i viktimave që janë ankuar në vitin 2020 janë gra (2519 viktima).

Alili: Dhuna në familje është më e shprehur në mjediset rurale dhe grupet e margjinalizuara

Antigona Alili është aktiviste dhe eksperte për çështje gjinore dhe thotë se dhuna në familje është më e shprehur në mjediset rurale dhe grupet e margjinalizuara dhe ka qasje më të vështirë për të vepruar.

“Gjatë vitit 2020, në periudhën e karantinës së plotë, kur qëndrimi në shtëpi ishte i detyrueshëm, procesi i paraqitjes së rasteve nga ana e grave ishte i vështirësuar për arsye se gjatë gjithë kohës ishin me dhunuesin dhe tek ata ka mbizotëruar frika, pafuqia dhe kontrolli, dhe në prani të tij nuk kanë mundur të gjejnë hapësirën për tu lajmëruar dhe për ta paraqitur”.

Ajo thekson se duhet të gjenden mënyra se si institucionet të sensibilizohen lidhur me çështjen e dhunës në familje përmes trajnimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që do të kontribuojnë në rritjen e njohurive dhe mënyrës së tyre të veprimit.

“Ndërrimi i anëtarëve të ekipeve të formuara që veprojnë në institucione, është gjithashtu problem. Mendoj se ekipet duhet të formohen në secilin prej institucioneve dhe anëtarët e atyre ekipeve duhet të trajnohen dhe të mos ndërrohen çdo vit, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri të trajnimeve, të parandalohet viktimizimi i dyfishtë dhe në këtë mënyrë të përmirësohet sistemi i mbrojtjes që i cili duhet të udhëhiqet ekskluzivisht në përputhje me ligjin dhe rregullat e përshkruara dhe aktet ndërkombëtare” shton ajo.

Janë rritur edhe kërkesat për përkrahje psikologjike

Frosina Ivanovska është psikologe dhe aktiviste dhe thotë se në këtë periudhë nuk ka pasur rritje të numrit të grave që kanë paraqitur apo kanë kërkuar ndihmë për menaxhim me reagimet e dhunshme, por ka pasur rritje të kërkesave për përkrahje psikologjike për shkak të shëndetit të përkeqësuar mendor dhe thekson se një prej arsyeve për mosparaqitjen e rasteve të dhunës është niveli i ulët i besimit në institucione.

“Ka shumë shembuj ku mbrojtja është adekuate dhe në kohë dhe me respekt ndaj personit dhe dinjitetit të gruas gjatë gjithë procesit, por fatkeqësisht, kemi edhe shume shembuj kur institucionet nuk dinë të bëjnë vlerësim përkatës për nevojat gruas dhe rrezikun ndaj shëndetit të saj fizik dhe mendor, dhe në pajtueshmëri me këtë të propozojnë masa edhe bëjnë intervenime, por punojnë sipas shablloneve dhe janë të ngarkuar me punë administrative dhe nën shtypje që sa më shpejtë ta mbyllin lëndën. Ne akoma nuk mund të mbërrijmë deri në nivelin e duhur të praktikave uniforme gjatë veprimit të institucioneve në tërë shtetin”.

Ajo shton se edhe para pandemisë, shumë gra që përjetojnë dhunë janë të mbyllura në shtëpi dhe nuk kanë mundësi të arrijnë deri te informacionet, as t’u drejtohen institucioneve ose ndonjë organizate në një mënyrë të sigurt dhe të besueshme.

“Në vendin tonë, edhe pas një viti nga fillimi i pandemisë, nuk janë paraqitur iniciativa për shpërndarje të informacionit, për shembull përmes marketeve dhe barnatoreve dhe këtyre vendeve ku ndonjë grua mund të shkojë lirshëm, të jenë krijuar fjalëkalime ose mekanizma dhe mund të alarmojë se diçka po ju ndodh atyre dhe t’iu sigurohet ndihmë shpejt dhe thjesht. Përveç kësaj, edhe vetë institucionet nuk përshtaten lehtësisht dhe në pajtueshmëri me kufizimet e imponuara nga pandemia, andaj dhe janë edhe më të paarritshme dhe joefikase në sigurimin e mbrojtjes”.

Ivanovska thekson se gratë në fillim kanë nevojë për shumë informacion dhe shumë mbështetje për të vendosur mbi hapin për paraqitje të rastit dhe për të filluar procedurat për vetëmbrojtje dhe në një farë mënyre sanksionimin e kryesit të veprës.

“Përpos përkrahjes së vazhdueshme psikologjike dhe përkrahjes nga një punonjës social lidhur me kontaktin me institucionet dhe ushtrimit të të drejtave të ndryshme, ato kanë nevojë për ndihmë serioze juridike, veçanërisht rreth përfaqësimit në procese, por edhe kur ka lëshime serioze në veprimet e institucioneve. Disa prej tyre kanë nevojë për strehim të përkohshëm, për arsye sigurie ose thjesht sepse janë të pastreha, nuk kanë mbështetje familjare dhe nuk janë aq të fuqishme financiarisht për të mbuluar vetë këtë shpenzim jete. Nga ana tjetër, për të tjera është e mirëseardhur edhe përkrahja rreth punësimit, gjegjësisht lloje të ndryshme të këshillimit për karrierë, rikualifikim etj., që të arrijnë deri te një vend pune, ose vend më të mirë pune. Kanë nevojë edhe për përkrahje lidhur me kujdesin për fëmijët gjatë gjithë procesit, që tani është edhe më shumë i vështirësuar për shkak të numrit më të vogël të vendeve në kopshte ose për shkak të mësimit nga largësia dhe prandaj akoma nuk i kushtohet vëmendje kësaj pjese”, shton Ivanovska.

Blerim Salihi, Kristijan Trajçov

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.