[Infografikë] Në Shkup janë shqiptuar më së shumti dënime për mosmbajtje të maskave

0
54

Në Shkup janë shqiptuar më së shumti dënime për mosmbajtje të maskave mbrojtëse. Zyrtarët policorë kanë sanksionuar gjithsej 39.203 qytetarë mbi këtë bazë në territorin e SPB Shkup. Numri i përgjithshëm i sanksioneve për këtë kundërvajtje, nga fillimi i pandemisë deri më 21 prill, është 176.636.

Pas Shkupit, më së shumti ka dënuar policia në Tetovë, 27.438. Në territorin e SPB Kumanovë janë regjistruar 21.089 sanksione, në Ohër 15.167, Manastir 15.292, Veles 15.292, Strumicë 15.181, ndërsa numri më i vogël i shkeljeve janë shënuar në territorin e Shtipit, gjithsej 13.246.

Në bazë të kësaj gjobe, në buxhetin e shtetit kanë hyrë mes 1.766.360 dhe 3.532.720 euro. Gjoba për të mosmbajtje të maskës mbrojtëse është 20 euro, por nëse paguhet brenda shtatë ditësh zvogëlohet në 10 euro.

Nga ana tjetër, ka 3.897 kallëzime penale për shkelje të orës policore kundër 5.282 personave. Vetëm gjatë ndalimeve të fundit të lëvizjes janë dënuar gati 1.000 persona.

Sipas të dhënave të MPB, nga 10 marsi deri në 21 prill janë gjobitur gjithsej 967 persona të cilët gjatë orës policore janë “kapur” jashtë pa leje për lëvizje. Edhe këtu, ashtu si për mosmbajtje të maskës mbrojtëse, më të padisiplinuar kanë qenë shkupjanët. Në kryeqytet, për një muaj u kapën 373 qytetarë duke shkelur orën policore. Mandej pason Tetova me 107, Manastiri me 99, Shtipi me 93, Ohri me 88, Kumanova me 81, Velesi me 71, ndërsa më pak shkelje janë regjistruar në Strumicë, 55.

Sa i përket mosrespektimit të ndalesës për lëvizje, është gati se e pamundur të përllogaritet se sa ka “fituar” shteti. Sipas Nenit 206 të Kodit penal, mbi këtë bazë është paraparë dënim me burgim për një vit ose gjobë. Lartësinë e gjobës e përcakton gjykatësi në procedurë paraprake dhe mund të lëvizë mes 20 dhe 50 euro. Sipas informatave jozyrtare, shkelësit zakonisht marrin gjobë mes 1.500 dhe 3.000 euro, por secili gjyqtar përcakton rrethanat lehtësuese në mënyrë të ndryshme.

Statistika për dënime të shqiptuara për mosmbajtje të maskës dhe mosrespektim të orës policore

Prej fillimit të pandemisë deri më 21.04.2021, mbi bazë të masës për mbrojtje personale janë regjistruar 176636 shkelje dhe 3.897 kallëzime penale kundër 5.282 shkelësve për mosrespektim të masës për ndalim të lëvizjes.

Besmira Ibraimi, Daniel Vasilev

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.