[Infografik] Më shumë se 3.200 të rinj kanë mbetur pa punë gjatë kohës së krizës me Kovid-19

0
37

Pandemia me virusin korona nxori në sipërfaqe numrin e më shumë se 16.700 personave që kanë mbetur pa punë, gjegjësisht persona që janë çregjistruar nga sigurimi i detyrueshëm social që nga marsi i vitit të kaluar, deri në mars të këtij viti, me ngritje më të madhe të numrave në prill dhe në shtator të vitit të kaluar.

Këtë e tregojnë të dhënat e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), sipas së cilave më të përfaqësuar në këto numra janë personat e moshës prej 30 deri 49 vjeç, 44.8% ose 7.497 persona, ndërsa 5.985 persona ose 35.8% janë të moshës mbi 50 vjeçare.

Nga ana tjetër, në këto të dhëna zyrtare të APRMV nuk janë të numëruar personat me punësim joformal.

Sipas APRMV, arsyet se pse personat janë çregjistruar nga sigurimi i detyrueshëm social janë të shumta. Kështu, mes të tjerash, 6.274 persona kanë mbetur pa punë për shkak të skadimit të kohës së caktuar, 3.991 për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës me marrëveshje. Mandej, 2.437 persona kanë mbetur pa punë sepse kanë dhënë dorëheqje, 1.487 për shkak të dorëheqjes për arsye afariste, ndërsa 1.148 janë pushuar nga puna nga punëdhënësi.

Këtu përfshihen edhe të rinjtë nën 29 vjeç, të cilët përfaqësohen me 19.4% ose 3,234 persona që kanë mbetur pa punë gjatë kësaj periudhe.

Në këtë numër gjithashtu bën pjesë edhe një numër i madh të rinjsh nga Ohri dhe Struga, sipas vlerësimit të organizatës civile “Inkluzija”, të cilët humbën vendet e punës gjatë krizës me pandeminë e virusit korona ose orari i punës u është përgjysmuar, sepse ky rajon është turistik dhe sektori më i prekur nga pandemia është pikërisht turizmi.

Prandaj, nga “Përfshirja”, e cila punon në politikat rinore, thonë se të rinjtë që punojnë drejtpërdrejt në këtë sektor kanë mbetur më të lëndueshmit dhe shumë prej tyre kanë mbetur jashtë tregut të punës.

Kryetari i organizatës, Vahid Memed, sqaron se punët e pasigurta janë problem gjithashtu, por edhe rritja e papunësisë së të rinjve, me të cilën, siç shpjegon ai, aktualisht po përballemi me “një qetësi para stuhisë”, dhe më pas edhe me rritjen e emigrimit të të rinjve .

“Kjo kategori, gjegjësisht të rinjtë të cilët mbetën jashtë tregut të punës për shkak të pandemisë, në vazhdimësi komunikon me agjenci për ndërmjetësim jashtë vendit, në mënyrë intensive mësojnë gjermanisht dhe presin momentin e përshtatshëm për tu larguar me hapjen e kufijve, respektivisht me qetësimin e pandemisë. Si punonjës për të rinjtë jemi të shqetësuar nga kjo gjendje dhe mendoj se qeveria, komunat dhe Agjencia për punësim duhet t’i qasen problemit në mënyrë strategjike”, thotë ai.

Aktivisti Memed thotë se me pakot ekonomike të qeverisë janë përfshirë një pjesë e të rinjve, por konsideron se nuk mjafton.

“Duhet të ekzistojë strategji e përshtatshme se si të rinjve, të cilët u ballafaquan me humbje të vendeve të punës, e me këtë edhe me siguri të përkeqësuar sociale, tu krijohen masa të veçanta, stimuj, në fakt qeveria së bashku me organizatat rinore dhe palët e interesit, të krijojnë ambient të sigurisë sociale për të rinjtë. Posaçërisht në këtë rajon ku përqindja e emigrimit të të rinjve është e lartë dhe ku duhet të ketë qasje drejt planifikimit strategjik dhe përgjigjes ndaj papunësisë së të rinjve, kthim i besimit të të rinjve ndaj asaj që do të thotë avancimi në karrierë, por edhe respektim i të drejtave të punëtorëve, të cilat janë shkelur te shumë të rinj pikërisht për shkak të asaj pasigurie dhe rrugës qorre që të rinjtë të mund të gjejnë punë tjetër në përputhje me arsimimin e tyre dhe motivimin për të përparuar”, sqaron Memed.

Sipas tij, shteti duhet të krijojë mundësi për të drejta të barabarta të të rinjve në tregun e punës, por gjithashtu, siç thotë ai, motivim të shtuar të të rinjve për tu marrë me sipërmarrësi, subvencione, por edhe ulje të taksave për të rinjtë që do të fillojnë ndërmarrje ose do të punësohen në ndërmarrje.

Nga Seksioni të Rinjve pranë Federatës së Sindikatave të Maqedonisë (SRFSM) thonë se pandemia ka shkaktuar pasoja serioze në nivel global dhe kombëtar, duke theksuar se në pjesë e implikimeve do të bëhen të dukshme më pastaj.

Sipas tyre, kjo krizë jo vetëm që nuk i shmangu të rinjtë, por, siç theksojnë ata, njëjtë sikur shoqata “Inkluzija”, i goditi ata rëndë, gjë që i solli në krye të kategorive të grupeve të lëndueshme të njerëzve.

“Se si ndikoi kriza tek të rinjtë në vendin tonë tregon shkalla e papunësisë së të rinjve në vend, që sipas të dhënave të fundit për tremujorin e katërt të vitit 2020 është 39.2%, e cila është ndër më të lartat në Evropë dhe po rritet gradualisht në krahasim me tremujorin e mëparshëm, të tretin për 2020, i cili është 35%”, thonë nga SRFSM.

Sa i takon ndihmës shtetërore në këtë periudhë, nga seksioni tregojnë për ndihmën financiare të qeverisë për personat e moshës 16 deri 29 vjeç, 12 milion euro, me të cilat ndihmohen të rinjtë dhe fuqia e tyre blerëse përmes tre masave.

“Ishte e parapare që rreth 100 mijë persona do të shfrytëzonin ndihmën financiare, duke përdorur vauçerë të ndryshëm me vlera të ndryshme. Nëse dhe sa janë shfrytëzuar dhe kanë qenë të dobishme këto masa të parashikuara, duhet të shohim më tej, duke pasur parasysh se nuk kemi informacion specifik mbi shfrytëzimin e tyre”,  thonë ata.

Dega e të rinjve të sindikatës në aktivitetet programore mban edhe trajnime të dedikuara për të rinjtë, për shkathtësimin dhe informimin e tyre të plotë mbi situatën dhe përfshirjen në tregun e punës.

“Qëllimi ynë është që të rinjtë gjatë kyçjes në tregun e punës të aplikojnë dhe të pranojnë punë të qëndrueshme dhe reale, të cilat i kanë të gjithë elementët e punës së denjë për të cilën qëndron Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP)”, thonë ata.

Koncepti të cilin e promovon ONP, nga SRFSM thonë se udhëzon lidhur me atë se vendet e punës duhet të jenë në përputhje me nivelin arsimor të punëtorëve të rinj dhe aftësitë e tyre, të njëjtit duhet të jenë burim i jetesës së denjë, në kompani tu sigurohen kushte të shëndetshme dhe të sigurta për punë, si dhe realizimin e plotë të të drejtave të përcaktuar.

Lidhur me përfshirjen e të rinjve në tregun e punës, shumë shpesh, siç shpjegohet nga SRFSM, ajo që punëdhënësit theksojnë më së shumti është se të rinjtë nuk kanë përvojë të mjaftueshme për vende të caktuara pune.

“Këtu shfaqet problemi me fitimin e përvojës dhe praktikës që duhet të jetë një pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm dhe përparimin në karrierë të çdo të riu. Gjithashtu, shpesh jemi dëshmitarë se punëdhënësit gjatë punësimit, të rinjve u paguajnë rroga më të ulëta sesa më të moshuarve, të cilët punojnë në të njëjtat pozita. Ashtu siç nuk duhet të ketë diskriminim mes burrave dhe grave në vendin e punës, gjithashtu nuk duhet të ketë diskriminim midis punëtorëve të rinj dhe të më të moshuar”, janë të vendosur nga SRFSM.

Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se avancimi në karrierë dhe trajnimi profesional nuk është gjithmonë prioritet për punëdhënësit ose se ata shpesh konsiderojnë se të rinjtë duhet vetë të mbindërtojnë  njohuritë dhe të përmirësohen.

“Gjithashtu, kontratat e punësimit të të rinjve janë zakonisht për një periudhë të caktuar kohore, nga 1, 3 ose 6 muaj, duke zgjatur këtë lloj kontrate deri në periudhën maksimale të një kohëzgjatjeje të tillë të lejuar prej 5 vjetësh. Kjo është arsyeja pse ne, si SRFSM, kërkojmë nga partnerët socialë, gjegjësisht ne avokojmë përmes FSM, që është një prej tyre, që në Ligjin e ri për marrëdhëniet e punës, të ulet ky kufizim nga 5 në 1 vit, pas së cilit do të pasonte transformimi i marrëdhënies së punës nga koha e caktuar në të pacaktuar dhe në atë mënyrë të rinjtë do të fitojnë siguri në krijimin e planeve të tyre të ardhshme për pavarësi, planifikim familjar, zgjidhje të çështje së banimit, dhe të ngjashme”, shtojnë ata.

Ilmie Zhaku, Martin Koloski

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.