Vetëm deri tek organizata “Edna mozhe” kanë arritur mbi 50 kërkesa nga prind
të vetëm mbi këtë bazë, që ankohen se janë refuzuar për ndihmën e
njëhershme të dedikuar për familje me një prind, edhe pse i kanë plotësuar
kushtet. Nga Qeveria pretendojnë se pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë
marrë ndihmë nuk kanë dorëzuar kërkesë me dokumentacion deri te Qendrat
për punë sociale, që paraqet bazën mbi të cilën bëhet lista sipas së cilës ata
paguhen, ndërsa është detyrim ligjor.
Deri më tani, 1,175 prindër të vetëm kanë marrë mbështetje financiare prej 6,000
denarësh, që është pjesë e ndihmës së njëhershme në kuadër të masave të
qeverisë nga paketa ekonomike e ndihmës për kategoritë e lëndueshme të
qytetarëve gjatë KOVID 19. Sipas informacionit nga Qeveria, gjithsej 3,196 prindër të vetëm janë refuzuar për këtë lloj ndihme pasi kishin dorëzuar ankesë.
“Shumica e të refuzuarve përkojnë me mbështetjen financiare veç më të
shfrytëzuar nga paketa e tretë e masave si punëkërkues aktivë ose si punonjës me
të ardhura deri në 15,000 denarë”, thonë nga atje. Sipas tyre, pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë marrë ndihmë, nuk kanë dorëzuar kërkesë me dokumentacion deri te Qendrat për punë sociale, që paraqet bazën mbi të cilën bëhet lista sipas së cilës ata paguhen, ndërsa është detyrim ligjor.
Kryetarja e organizatës “Edna mozhe”, Doroti Paçkova për PINA thotë se ata kanë
mbledhur nënshkrime nga prindërit dhe kanë dërguar ankesë deri te Qeveria për
këto raste, por nga Qeveria mohojnë se kanë pranuar një dokument të tillë.
“Deri te Qeveria kemi dërguar ankesë, përkatësisht kërkesë nga mbi pesëdhjetë
prindër të vetëm, të cilët u futën në një grup të vogël të plotë të prindërve të
vetëm që duhet ta realizonin masën. Fatkeqësisht, u refuzuan pa ndonjë arsyetim,
andaj kërkuam të na sqarohet se mbi çfarë baze u refuzuan, por nuk morëm asnjë
përgjigje. Pra, kemi prindër që i plotësojnë kushtet, por janë refuzuar dhe ata e
paraqitën këtë te ne, e nënshkruan ankesën me qëllim që t’u pranohet kërkesa, e cila në praktikë duhet të zbatohet ashtu siç është vendosur teorikisht”, shpjegon
Paçkova.
Por, nga Qeveria thonë se nuk kanë pranuar një letër të tillë nga sektori i OJQ-ve.
“Pavarësisht kësaj, Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, si organi përgjegjës për
zbatimin e masave anti-krizë, shqyrton çdo rast në plotësi”, thonë ata.
Ndihma e njëhershme – e pamjaftueshme
Paçkova nga organizata “Edna mozhe”, thotë se ndihma e njëhershme nuk është e
mjaftueshme për prindërit që kujdesen vetë për fëmijët e tyre. Sipas saj, masa
është e njëhershme dhe e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për vetëm një
muaj, ndërsa pandemia po zgjat një vit të tërë.
“Ndihma ishte afatshkurtër dhe minimale, ndërsa kryesorja ishte që aplikimi për
masën zgjati një kohë mjaft të shkurtër, gjegjësisht vetëm pesë ditë. Për këtë
kohë duhej të dorëzoheshin certifikata nga prindi dhe fëmija, si dhe dëshmi se
janë prindër të vetëm, certifikata të lindjes nga libri amë, dhe këto dokumente
kishin afat dorëzimi prej dhjetë ditësh. Vetë kjo e pamundësoi që një numër
shumë i madh i atyre prindërve që aplikuan të mos ishin në gjendje ta realizojnë
masën”, shton ajo.
Sipas saj, gjithashtu është i nevojshëm përkufizimi i statusit “prind i vetëm".
Pikërisht kjo, thotë ajo, është edhe arsyeja se pse disa nga prindërit nuk kishin
qasje deri te masa për mbështetje financiare.
“Ndryshimet ligjore janë absolutisht të nevojshme, andaj dhe që nga fillimi i
ekzistencës sonë si shoqatë, ndërsa paraprakisht si lëvizje për realizimin e të
drejtave të prindërve të vetëm, ne bëjmë përpjekje për përkufizimin e statusit të
prindërve të vetëm, për shkak se nuk ka përkufizim zyrtar – përfundon Paçkova.
Sipas saj, prindërit e shkurorëzuar nuk kanë qasje te kjo masë, njëjtë sikur që nuk
kanë të drejtë të aplikojnë familjet me një prind që kanë një prind të
humbur/zhdukur, me prind që vuan dënim me burg, prind që është në një
institucion psikiatrik ose çfarëdo institucion shtetëror, prind që është larguar nga
vendi dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për fëmijët e tij, prind i cili kurrë nuk ka
paguar alimentacion për shembull.
Nga Qeveria thonë se vlera e të drejtës së ndihmës minimale të garantuar
përllogaritet si bazë për një anëtar të amvisërisë, e rritur me koeficient nga shkalla
ekuivalente për anëtarët tjerë të amvisërisë, e më së shumti deri në pesë anëtarë të amvisërisë. “Baza e së drejtës së ndihmës minimale të garantuar është 4.000
denarë në muaj dhe përcaktohet në pajtueshmëri me rritjen e shpenzimeve për
jetesë për vitin paraprak, të publikuar në Entin shtetëror për statistikë në janar të
vitit aktual”.
Vlera e së drejtës rritet në pajtueshmëri me shkallën ekuivalente për koeficient
prej 0,5 për një grua të vetme gjatë shtatzënisë, një muaj para lindjes, dhe një
prind të vetëm deri në fillimin e arsimit fillor të fëmijës, por më së voni deri në
moshën shtatë vjeçare e fëmijës, dhe përfundimisht deri te fëmija i tretë.
“Personat/amvisëritë në rrezik për shkak të pasigurisë materiale që shfrytëzojnë
ndihmën minimale të garantuar, gjithashtu marrin edhe një kompensim prej
1.000 denarësh në muaj gjatë gjashtë muajve të dimrit, për të mbuluar
shpenzimet për ngrohje”, thonë nga atje.
Autorë: Vanja Micevska dhe Kristijan Trajçov
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.