Edhe pse nuk ka asnjë organizatë studentore tashmë dy vjet, gjatë regjistrimit të semestrit në fakultetet e Universitetit “Goce Delcev” në Shtip, pagesa në emër të Parlamentit Studentor është e detyrueshme, shkruan Diversitymedia.
Në vitin 2018, studentët kanë paguar mbi një milion denarë në llogarinë e shoqatës qytetare “Parlamenti Studentor i UGD”. Edhe këtë vit studentët paguan në emër të Parlamentit Studentor, por mjetet paguheshin në llogari të universitetit.
Gjatë regjistrimit të këtij viti akademik 2019/2020 në shtator të vitit 2019, të gjithë studentët në Universitetin “Goce Delchev” nga Shtipi, paguan një shumë të detyrueshme prej 150 denarësh për Parlamentin dhe Avokatin studentor. Megjithatë, askush nuk shtroi pyetjen – për cilin Parlamenti Studentor, kur me ligjin e ri të Arsimit të Lartë të muajit maj 2018, kjo organizatë nuk është organ përfaqësues i studentëve, por janë kuvendet studentore, që nuk ishin formuar.
Që paradoksi të jetë dhe më i madh, mjete për Parlamentin studentor janë grumbulluar edhe vitin e kaluar, gjatë regjistrimit të vitit akademik 2018/2019, kur ligji thjesht fshiu këtë organizatë. Sipas ligjit të ri, organizatat studentore që ekzistonin më parë, të njohura si Parlamente Studentore, të organizuara si shoqata qytetare, automatikisht pushojnë së ekzistuari, ndërsa llogaritë ua ngrijnë. Ky ishte sqarimi që morëm nga universiteti. Sidoqoftë, shoqata qytetare “Parlamenti Studentor i UGD” akoma ekziston dhe ka një llogari aktive bankare, të konfirmuar nga Regjistri Qendror. Llogaria përfundimtare e shoqatës, e cila u dorëzua në shkurt të këtij viti, paraqet të ardhura prej 1.313.256 denarë. Nga këto, 1.077.407 prej tyre janë të hyra nga anëtarësimi nga studentët, që i kanë paguar gjatë regjistrimit të vitit akademik.
Shkrimin e plotë të Teodora Noveska dhe Shefkije Alasani mund ta gjeni në Diversity Media.