Të pranishëm fizikisht, por inekzistent institucionalisht

0
80

Në Maqedoni, sipas institucioneve në vend, ekzistojnë qindra qytetarë që nuk posedojnë dokumente identifikimi. Nga ana tjetër, organizatat jo qeveritare flasin për mijëra të tillë. Për shkak se nuk kanë asnjë dokument, nuk gëzojnë asnjë të drejtë, qoftë edhe ato elementare si në arsim apo shëndetësi. Të gjithë janë të vetëdijshëm, por askush për vite të tëra nuk bëri asgjë për të zgjidhur këtë problem. Vetëm pak kohë më parë, Qeveria solli një ligj për regjistrim të këtyre personave, por sektori joqeveritarë thotë se ligji në fjalë nuk do të mund të zgjidh edhe rastet më të komplikuara, të ngjashme me këto në vijim:

EVI SHKOPI DHE IVANA NASTESKA

Omeri është një 24 vjeçar lindur dhe rritur në Maqedoninë e Veriut, por nuk gëzon asnjë të
drejtë, sepse figuron i vdekur. Ai ka certifikatë lindje dhe vdekje, e para e vitit 1995 dhe e dyta e vitit 1997, por ka edhe diplomë ku thuhet se ka përfunduar studimet në vitin 2014. Ai shpjegon se e gjitha kjo ngatërresë ka ndodhur për shkak të një gabimi të prindërve të tij. Këtë ai e kuptoi në moshën 18 vjeçare, kur shkoi për të bërë dokumentet e identifikimit. Më tej ai tregon:

“Pak kohë pas kisha lindur unë, u lind edhe kushëriri im, por ishte lindje në shtëpi. Nuk e
kishin regjistruar. Një vit më vonë ai u sëmur. Duke qenë se ishte i pa regjistruar në Librin
Amë, u detyruan që në mjek të dërgonin me librezën time shëndetësore. Gjendja e tij u
përkeqësua dhe ai ndërroi jetë. Prindërve u kanë thënë që të nënshkruajnë dokumentacionin dhe nga tronditja që kishin për shkak se një pjesëtar i familjes humbi jetën, nuk e kanë menduar se në fakt po nënshkruanin dokumente ku figuronte i vdekur djali i tyre”- thotë Omeri.

Si është të jetosh në Maqedoni kur nuk gëzon asnjë të drejtë?

Edhe pse nuk bëri asnjë krim, Omer thotë se jeton nga me frike.

“Unë nuk ekzistoj këtu. Jetoj si i arratisur. Nuk gëzoj asnjë të drejtë. Nuk dal dot jashtë vendit. Sëmurem, nuk shkoj dot në spital shtetëror. Nuk gëzoj dot as të drejtat e punëtorit, nuk jetoj dot si moshatarët e mi. Punoj si kamarier dhe atë me frikë. Kur jam turni i natës, shpesh shoh polici gjatë rrugës duke u kthyer në shtëpi dhe ndërroj rrugë, sepse shumë herë më ka ndodhur që më ndalojnë, më kërkojnë dokumente, dhe unë s’kam asgjë. Më dërgojnë në stacion policor dhe më mbajnë për orë të tëra deri sa sqarohet situata dhe vjen babai të më marrë. Unë nesër nuk mund të ve kurorë, s’do mundem as t’u jap atësinë fëmijëve të mi”- shprehet Omeri.

Rruga drejt zgjidhjes së këtij problem bëhet edhe më e komplikuar. Nga Ministria e Brendshme i kishin thënë se në mënyrë që ai të regjistrohet, duhet të hapet varri i kushëririt. Omeri thotë se në atë kohë kushëririn e tij të ndjerë e kishin varrosur në fshat, dhe sot varri i tij ka humbur. Ai thotë se zgjidhje i është premtuar disa herë nga figura të ndryshme politike, në periudhë parazgjedhore, atëherë ku u nevojiteshin vota, por ky hall menjëherë pas zgjedhjeve, thotë Omeri, harrohej nga të gjithë. Në rrugë institucionale nuk ka bërë kërkesë për zgjidhjen e këtij problemi, sepse ka frikë mos i burgosin babain për gabimin që ky i fundit ka bërë.

Më së miri situatën në të cilën ndodhet Omeri, e kupton Safije Pajaziti. 90 vjeçarja nga Breza, nuk ka asnjë dokument tjetër, përveç certifikatës së martesës. E gjithë ngatërresa zanafillën e ka në vitin 1947 kur ajo është martuar. Në atë kohë ajo ishte vetëm 16 vjeç e tre muaj dhe prindërit kanë dashur t’i rrisin moshën. Si vit të lindjes së saj kanë vendosur 1928-tën, por nuk e kishin menduar se në të njëjtin vit kishte lindur edhe vëllai i saj, me të cilin ajo tashmë rezulton se ka vetëm 7 ditë diferencë. Ajo nuk mban mend nëse ka pasur dokumente identifikimi në kohën kur është kurorëzuar.

“ Ashtu kanë qenë më përpara njerëzit, njerëz mali, thënë më shkurt. Më kanë martuar,
s’ më kanë rregulluar asnjë dokument. Edhe unë isha e re, nuk kam kërkuar asnjë dokument. I kam pasur 16 vjet e tre muaj, dhe kane thënë hajt të ja shtojmë vitet. Kur mi kanë shtuar vitet kemi dalë 7 ditë diferencë me vëllain tim”- thotë e moshuara Safije.
Dokumentet e identifikimit, thotë ajo, i do vetëm për një qëllim, që të marrë një librezë shëndetësore.

Safije Pajaziti 90 vjeçe

“Në doktor kam shkuar, por nuk më kanë pranuar. Më thoshin pa dokument nuk
guxojmë. Edhe prapë në shtëpi. 10:26 Unë jam dukë kërkuar nga shteti të më rregullojë
dokumentet, që të paktën një librezë shëndetësore të kem, që të mund të shkoj në doktor.
Sepse unë dita e ditës jam më e dobët, e nëse shtrohem në spital unë nuk e paguaj dot edhe shtëpinë me e shit.”

Askush nuk posedon numër të saktë të personave pa dokumente identifikimi Numër të saktë të personave në vend që nuk posedojnë dokumente identifikimi nuk ka askush, as
institucionet dhe as organizatat joqeveritare. Sipas të parave, numri i personave fantom arrin 700. Me gjasë shifrat janë shumë herë më të larta, sipas, Dragi Zmijanac, nga ambasada e fëmijëve “ Megjashi”, vetëm fëmijë të paregjistruar janë rreth 5 mijë.

Dragi Zmijanac – Ambasada e Fëmijëve “ Megjashi”
“ Shifrat jozyrtare mund të lëvizin nga 3 mijë deri në 5 mijë. E kemi me rëndësi që të definohet numri i saktë. Sipas disa të dhënave të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, janë evidentuar 330 fëmijë fantom, të cilët mund të rrëmbehen dhe të zhduken nga harta e Maqedonisë, pa e ditur më parë as nga kanë lëvizur. Të mos flas për tregti me fëmijët, organe të fëmijëve, prostitucion me fëmijët dhe forma të tjera të tmerrshme të keqpërdorimit të fëmijëve.”

A do t’ua zgjidhë problemet këtyre qytetarëve propozim-ligji i ri?

Pak kohë më parë, Qeveria e miratoi propozim-ligjin për personat e paregjistruar dhe e dorëzoi në Kuvend. Siç është njoftuar atëherë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, propozim-ligji ka për qëllim që personat e paregjistruar në librat amë të të lindurve të fitojnë status të veçantë civil. Kjo duhet t’i lejojë ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për arsim, mbrojtje shëndetësore, mbrojtje sociale dhe punësim me sigurim të detyrueshëm social sipas ligjit. Nga Shoqata humanitare dhe bamirëse e romëve “Meseçina” nga Gostivari, thonë se ky propozim-ligj është një hap i mirë, por nuk do të zgjidhë përgjithmonë
problemet e të gjithë qytetarëve pa dokumente personale.

“Ky propozim-ligj është një hap i rëndësishëm përpara dhe më se i nevojshëm. Rastet më të lehta do t’i zgjidhë, por nuk do të ofrojë zgjidhje të përhershme për të gjithë qytetarët që nuk janë të regjistruar. Në veçanti, nuk do të zgjidhë problemet në raste më të ndërlikuara. Këta qytetarë duhet të gëzojnë të drejtën е mbrojtjes shëndetësore dhe sociale, arsimit dhe përfundimisht të drejtën për të kërkuar
punë”, thotë Muhamed Toçi nga SHHBR “Meseçina”.

Ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska, para pak kohësh informoi se të gjithë këto qytetarë të cilët nuk kanë dokumente do të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare.
“Për shumë kohë këta njerëz kanë jetuar në margjinat e shoqërisë sonë. Me propozim-ligjin e i ri e kaluam në Qeveri u mundësojmë atyre të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore. Të drejtën për mbrojtje shëndetësore dhe sociale dhe punësimin e rregullt, ndërsa fëmijët do të mund të përfshihen në procesin arsimor”- informoi Carovska.

Në Maqedoni ka rreth 700 persona pa dokumente

MPPS dhe Drejtoria për udhëheqje të librave amë, që nga prilli i vitit të kaluar, shpallën Thirrje publike deri tek të gjithë personat që jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por nuk janë të regjistruar në Librin amë e të lindurve. Ata u thirrën që të paraqiten në zyrat e shërbimeve amë dhe të plotësojnë pyetësor në të cilët do të shënojnë të dhënat e tyre. Thirrja publike zgjati deri në nëntor të vitit 2018 dhe u paraqitën 700 persona. Të dhënat nga Pyetësorët e plotësuar shënohen në një regjistër
të veçantë elektronik. Siç sqarojnë nga Ministria, në bazë të këtij regjistri, Drejtoria për udhëheqje të librave amë do t’u lëshojë këtyre personave certifikatë lindjeje të përkohshme dhe MPB do t’u lëshojë letërnjoftim të përkohshëm. Nga kjo Ministri thonë se në këtë mënyrë ata do të jenë në gjendje të ushtrojnë të gjitha të drejtat që ata kanë si qytetarë të këtij shteti. Realizimin e këtyre të drejtave dhe këtë status do ta kenë derisa këta persona të sigurojnë dokumentet e nevojshme për regjistrimin e tyre
në Librin e rregullt amë të të lindurve, thonë nga MPPS.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.