Rruga e Malit Sharr deri në park nacional

0
63

Qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në maj të vitit të kaluar morën iniciativën që ta shpallin Malin Sharr – Park Nacional, iniciative që daton nga viti 1994, por deri më tani ky paralajmërim nuk ka përfunduar. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se janë në pritje të përfundimit të raporteve për procesin e konsultimeve publike, me çka do të finalizohet edhe propozim ligji për emërtimin e Malit Sharr si park nacional.

Sharri mund të shndërrohet në njërin ndër parqet më të mëdha në Evropë. Një pjesë e banorëve nga këto zona, me të cilët folëm për planin rreth Sharrit, nuk janë shumë të hapur për deklarata për medie, por jozyrtarisht deklarojnë se duan të inkuadrohen gjatë procesit. Thonë se është në interes të tyre që Mali Sharr të jetë park nacional dhe se banorët e zonës që moti kërkojnë që kjo zonë të fitojë këtë status, me çka shpresojnë se do të mundësohet edhe zhvillimi i mëtejshëm i këtij rajoni të vendit.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, për PINA.mk  thotë se janë duke pritur që raporti mbi procesin e konsultimit publik të kompletohet brenda muajit shkurt dhe së bashku me Projekt-ligjin përfundimtar për shpalljen e Malit Sharr – Park Nacional të dorëzohet në Qeverinë e RMV-së. Siç tha ai, që më pas ta shqyrtojmë dhe ta dërgojmë në Procedurë Parlamentare. “Shërbimet e Ministrisë së bashku me ekspertët që përgatitën Studimin e Vlerësimit dhe propozimin e zonimit, përfaqësuesit e UNEP dhe ekspertin shtesë të përfshirë nga IUCN, pasi shqyrtuan të gjitha komentet me shkrim dhe me gojë individualisht, iu drejtuan vëzhgimeve dhe analizave shtesë në terren, si dhe u mbajtën takime individuale me institucione relevante në mënyrë që të rishikojnë zgjidhjet e dhëna në projektligj dhe propozimin e zonimit, duke pasur parasysh që komente të ndryshme janë marrë nga shumë palë të interesuara, të cilat në disa pjesë janë kontradiktore”, shtoi Nuredini. Në fund ai thotë se vërejtje dhe këshilla kanë marrë nga banorët e zonës, operatorët ekonomikë dhe nga organizatat joqeveritare, me qëllim që të merren parasysh vërejtjet e marra dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe harmonizimi socio-ekonomik që njëkohësisht do të sigurojë shkallën më të lartë të mbrojtjes.

Mali Sharr, potencial i madh turistik

Aktivistët shohin potencial të madh në këtë hap për Malin Sharr dhe shpresojnë se kjo do të ndikojë pozitivisht tek turizmi. Metin Muaremi, drejtor në CED – Qendra për Zhvillimin e Arsimit dhe njëherit kryetar në rrjetin “Miqtë e Sharrit”, thotë se kjo ide ekziston për më shumë se dy dekada dhe si e tillë kaloi nëpër sfida të ndryshme politike, por më e rëndësishmja ishte që qytetarët që jetonin në këtë zonë ishin të përgatitur për të bashkëpunuar dhe për ta kuptuar rëndësinë e zonës së mbrojtur dhe përfitimet e saja.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të parë Malin e Sharrit si një park kombëtar dhe ne jemi këtu për të ndihmuar informimin e palëve të interesuara dhe vendasve për rëndësinë e zonës së mbrojtur në të ardhmen” thotë Muaremi. Sipas tij, me shpalljen e malit Sharr – Park Kombëtar, do të formohet një nga zonat më të mëdha të mbrojtura ndërkufitare në Evropë, e cila do të na sjellë më pranë arritjes së angazhimeve strategjike të shtetit për ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore”. Siç tha ai, gjatë muajve korrik – tetor të vitit të kaluar ata u angazhuan me aktivitete të ndryshme që kishin për qëllim ta ngrinin vetëdijen dhe rëndësinë e këtij procesi te qytetarët por edhe te institucionet përkatëse. “Ajo që është e rëndësishme për mbrojtjen në të ardhmen do të jetë që komuniteti duhet të punojë në sipërmarrjen për turne lokalë në mal. Mali Sharr, është një potencial i madh dhe ne duhet të punojmë me këta persona dhe të rrisim vetëdijen e tyre që ta sjellim këtë mal në vitet e tij më të mira, ku për shumë njerëz jo vetëm nga rajoni por edhe më gjerë ishte destinacioni paraprak”, përfundoi Muaremi.

Bashkëpunimet ndërinstitucionale me organizatat joqeveritare janë të frytshme

Përfaqësuesja e UNEP, Iskra Stojanova për PINA.mk deklaron se ato se në kuadër të Projektit STAR5 për arritja e mbrojtjes së biodiversitetit përmes krijimit dhe menaxhimit efektiv të zonave të mbrojtura kanë punuar me institucionet e interesit dhe partnerë ndërkombëtar për të emërtuar Malin Sharr si park nacional.

Thotë se në këtë proces kanë pasur edhe mbështetjen e banorëve të zonës.

“Më konkretisht, me përfshirjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ne kemi filluar të zhvillojmë një draft plan për menaxhimin e zonës së mbrojtur të ardhshme. Plani siguron kornizën për menaxhimin e qëndrueshëm të zonës dhe duhet të propozojë, ndër të tjera, masa ruajtjeje dhe udhëzime zhvillimore për zonën e mbrojtur.

Në të njëjtën kohë, aktivitetet për promovimin e Malit Sharr dhe ngritjen e vetëdijes publike nuk do të ndalen, kështu që thelbi i parkut kombëtar është të sigurojë mbrojtjen e natyrës, por me një zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik të zonës, ku do të përfitojnë qytetarët të cilët jetojnë përreth zonës së Malit Sharr”, shton ajo.

Mali Sharr padyshim i plotëson kushtet për emërtimin zonë Natura 2000

Në kampanjën publike, ishin të kyçur edhe përfaqësues të Shoqatës Maqedonase të Ekologjisë, e cila prej në vitin 1994, avokon për shndërrimin e kësaj zone në park nacional. Frosina Pandurska-Dramaqanin, kordinatore e projekteve në SHME (MED) potencon se kjo inciativë është në rrugë të drejtë, gëzon mbështetjen e popullatës lokale, dhe një numri të madh të institucioneve dhe gjatë vitit 2021 procesi do të ketë një përfundim të institucionalizuar, respektivisht që deputetët në Parlament do e votojnë ligjin dhe më pas do të formohet edhe NP Parku kombëtar “Mali Sharr”.

“Si SHME dhe Miqtë e Sharrit presimin që shumë shpejt ky ligj të futet në procedurë parlamentare me çka do të votohet nga deputetët në Parlament. Pas formimit të ndërmarrjes publike “PK Mali Sharr” do të duhet të përgatitet plan për udhëheqjen me zonën e mbrojtur, e cila do duhet të komunikohet edhe me qytetarët e këtyre hapësirave. Drejtuesi i ri do të ketë për detyrim të shënojë zonat e veçanta për mbrojtjen e parkut, të informoj qytetarët për rolin e tyre dhe të bëjë vëzhgimin e florës dhe faunës, si dhe aktiviteteve tjera për mbrojtjen e natyrës. Një nga detyrimet e zonës së mbrojtur është të formoj trup për palët e interesit e cila në intervale të rregullta do të informoj për punën e saj” shton Pandurska-Dramaqanin. Sipas saj është e paraparë që realizimi i një anketë publike ku do të përfshihen të gjithë qytetarët që banojnë brenda kufijve të vendeve të përfshira në projekt nga ku do të fitojnë informacione sa qytetarët e mbështesin iniciativën. Në 2016 anketa tregoj qasje pozitive prej 83% të qytetarëve.

“Përveç ligjeve nacionale, ekzistojnë edhe obligime ndërkombëtare për mbrojtjen e ambientit, veçanërisht nën dritën e aderimit tonë drejt Unionit Evropian. Mali Sharr padyshim i plotëson kushtet për emërtimin zonë Natura 2000, sipas dy direktivave të UE: Direktiva për mbrojtjen e gjallesave dhe kafshëve të egra dhe Direktiva për mbrojtjen e zogjve të egër. Nuk përjashtohet që hapat e tona të ardhshme të jenë mu në këtë drejtim.” përfundon Pandurska-Dramaqanin.

Aktivistët e iniciativës “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” nga ana tjetër thuan se Mos koordinimi i mirë rreth shtetit me banorët vendas dhe gjithë gjërat që tangojnë. Hamdi Sulemani nga kjo iniciativë thotë se kanë edhe vërejtje për anketa përmes internetit e cila është problematike sepse interesi i popullatës është dukshëm më i vogël se sa në anketa fizike.

“Kurse nga ana tjetër limitimi kohorë tejet i shkurtë i komentimit, prandaj edhe kishte reagime nga gjithë sektorët, që ti jepet mundësi komentimit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të njëjtat kur te miratohen te kenë edhe logjik implementimi.

Sa i përket nevojës se a është e nevojshme te shpallet park nacional, përgjigjja do ishte, NJI ORE ME HERET, kjo do ishte ne favor të banorëve dhe gjithë tjerëve. Të jesh banor i fshatit apo viseve malore dhe i njëjti te jetë park nacional, edhe atë park i cili do figuroj ne hartat e ndryshme botërore do të ishte privilegj! Ambientet e tyre patjetër se do ishin me te pastra, me infrastrukture rrugore dhe me mire te organizuara, pasi qe ligji qe përpilohet ne brendinë e tij i mban të gjitha format e mundshme varësisht se për cilën sferë do te jetë e nevojshme të intervenohet: infrastrukturë, ekologji, mbrojtje të pasurive natyrore, ujit, florës, faunës, etj.” konkludon Sulejmani.

Zenel Miftari/ Blerim Salihi

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.